Nisma e fundit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ngritjen e një burse bujqësore, një mekanizëm i ri që synon të ndryshojë mënyrën se si fermerët shqiptarë lidhen me tregun dhe shesin prodhimin e tyre, po shihet me skepticizëm nga ekspertët e fushës. Eksperti i Ekonomisë, Enriko Ceko, në një lidhje për MCN e ka cilësuar këtë nisëm si të vonuar.
Sipas tij, përpara se të flitet për bursën bujqësore për çmimet, duhet që të zgjidhet problemi i regjistrimit të tokës dhe fermave të fermerëve, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dokument mbi pronësinë e tokës. Për këtë arsye, ai sugjeron që nisma të nisë fillimisht si projekt pilot në zonën më të zhvilluar bujqësore që ka vendi.
Ne e kemi ngritur këtë problem edhe më herët që të kishte një vend, ku jo vetëm nga ana fizike të grumbullohej produkti, por të kishte informacion më të gjerë për të. Për mua bursa bujqësore është një gjë e vonuar, ne kemi pasur 350 mijë ferma, para disa vitesh, ferma të cilat kanë qenë aktive, kurse tani ne nuk e dimë se sa ferma kemi në fshat. Nëse nuk kemi një regjistër fermash, si mund të krijohet një bursë bujqësore?
Regjistri fermave vjen kur ti ke të regjistruar tokën, dhe shumica e fermerëve nuk kanë dokument mbi pronësinë e tokës. Duhet NIPT, nga 350 mijë ferma NIPT kanë shumë pak ferma. Duhet që të trajnohen fermerët, duhet që të ngrihen sa më shumë ku është e mundur qendrat e grumbullimit të produkteve bujqësore dhe bregtorale. Nëse flasim për bursë të mirëfillt produktet mund të jenë gruri, orizi, kafeja, kakaoja, por të futesh në bursë produkte që prishen për pak ditë si domatet, kastravecat dhe specat është e vështirë. Por, për bursën duhet bërë një provë, të merret një zonë pilot, zona më e zhvilluar bujqësore që ka vendi, pra duhet nisur me një projekt pilot.
Ka ardhur koha që të zbatohet ligji në të cilin thuhej se nëse ju e merrni tokën në përdorim dhe nëse toka nuk vendoset në përdorim ju merret, unë them se kjo duhet që të vendoset në zbatim, sepse një person ikën jashtë shtetit dhe shkon punon tokën bujqësore të italianit dhe nuk punon tokën e vet në Shqipëri.



