Rreth 700 persona u evakuuan nga ishulli Braç në Adriatik, pasi një zjarr i madh kërcënoi shtëpitë dhe strukturat turistike.
Situata ishte më dramatike pranë qytetit bregdetar të Milnës.
“Mbrëmë ishte katastrofë. Ishte thjesht e pamundur. Nuk do ta kisha besuar se zjarri mund të zhdukë gjithçka kaq shpejt”, tha kryebashkiaku i Milnës, Frane Lozic.
Zjarri u raportua fillimisht të enjten, por shuarja u vështirësua nga terreni i paarritshëm.
Autoritetet menduan se e kishin vënë nën kontroll të shtunën, por era e fortë e detit rindezi flakët.
“Erdhi nga askund, një përbindësh”, u shpreh Lozic.
Anije turistike u përfshinë në evakuim, ndërsa shumë turistë kaluan natën në plazh.
Nuk raportohen viktima nga flakët, por një 76-vjeçare u shtrua në gjendje kritike pasi dyshohet se ra nga një anije gjatë evakuimit.
Një 27-vjeçar mori ndihmë për asfiksimin nga tymi.
Rreth 3,500 hektarë u prekën nga zjarri dhe disa ndërtesa u dëmtuan.
Të dielën në mëngjes autoritetet njoftuan se nuk kishte më “zjarre të hapura”, por ekipet mbeten në terren për të parandaluar rindezjen.
Më shumë se 220 zjarrfikës, të mbështetur nga 69 automjete, kanë luftuar me flakët gjatë gjithë natës.
Në operacion janë angazhuar edhe katër avionë zjarrfikës.



