Singapori ka prezantuar një program të ri që e kthen leximin në lojë me shpërblime monetare. Për të fituar 1 dollar singaporian (rreth 80 cent), qytetarët duhet të regjistrojnë 50 seanca ditore leximi në një faqe interneti qeveritare.
Çdo seancë prej të paktën 15 minutash vlen 20 monedha virtuale, dhe lejohet vetëm një seancë në ditë.
Melissa Tam, shefja e Bordit të Bibliotekës Kombëtare, shpjegoi se qëllimi është krijimi i zakoneve të shëndetshme përmes hapave të vegjël.
"Ne jetojmë në një botë me bollëk informacioni dhe stimulimi. Po fillojmë me një qëllim të thjeshtë: lexoni vetëm 15 minuta në ditë, në autobus, para gjumit ose gjatë drekës", tha ajo.
Skema është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë shtetërore për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve, pasi një studim i fundit tregoi se "doomscrolling" (shfletimi i pafund i lajmeve negative) dhe varësia dixhitale janë dëmtuesit më të mëdhenj të rinisë në vend.
Qeveria po shqyrton gjithashtu vendosjen e kufizimeve kohore ditore për përdorimin e mediave sociale. Singapori ka përdorur edhe më parë stimuj financiarë (si kuponë supermarketi) për të nxitur qytetarët të ecin ose të arrijnë objektiva shëndetësore.
Çuditërisht, ky alarm i qeverisë vjen në një kohë kur nxënësit 15-vjeçarë të Singaporit kryesuan renditjen botërore PISA 2025 për lexim, duke lënë pas fuqi si Kina dhe Tajvani.



