Lufta e përbashkët e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit po hyn në një fazë kritike, duke lëkundur si tregjet globale të energjisë, ashtu edhe politikën e brendshme amerikane. Në një intervistë të dhënë për emisionin "The Ingraham Angle" në Fox News, Presidenti Donald Trump u shpreh i palëkundur për vendimin e tij ushtarak.
“Nuk besoj te fjala 'keqardhje'. Gjithmonë mund ta vësh pak veten në pikëpyetje. Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do të bëja pikërisht siç bëra,” tha Trump, duke hedhur poshtë zërat se baza e tij mbështetëse është e demoralizuar nga zgjatja e konfliktit.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve po rriten me shpejtësi, ku nafta që ka kaluar sërish pragun e 100 dollarëve për fuçi. Ky shtrenjtim ka ngritur alarmin brenda vetë radhëve të republikanëve.
Senatori Rand Paul paralajmëroi po ashtu në Fox News se nëse çmimet e naftës mbeten kaq të larta, partia rrezikon një "zgjedhje katastrofike" në nëntor. Trump, nga ana tjetër, parashikon se lufta do të përfundojë "menjëherë pas zgjedhjeve", pasi sipas tij Teherani nuk mund t'i rezistojë më presionit.
Pasojat më të rënda po regjistrohen në terrenin detar. Të dhënat e fundit të gjurmimit satelitor të raportuara nga Reuters treguan se numri i tranziteve të anijeve në Ngushticën e Hormuzit ra në vetëm shtatë anije brenda një dite, nga 11 që ishin një ditë më parë. Kjo shifër është drastike po të krahasohet me mesataren prej 15 anijesh të ditëve të fundit.
Përpara shpërthimit të luftës më 28 shkurt, kjo ngushticë menaxhonte rreth 125 anije të mëdha tregtare në ditë, duke transportuar pothuajse 20% të naftës bruto dhe gazit të lëngshëm (LNG) në mbarë botën. Ky bllokim dhe fikja e qëllimshme e transponderëve nga anijet për të shmangur zbulimin po kërcënon seriozisht furnizimin global të energjisë.



