Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, deklaroi se pret të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në New York në fund të këtij muaji, ndërsa Washingtoni po rinovon përpjekjet për të çuar përpara bisedimet e ngecura për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Kanada, Zelensky tha se diskutimet me palën amerikane do të vazhdojnë gjatë vizitës së tij në New York, sipas mediave të huaja. “Në fund të shtatorit, mendoj se do të kemi mundësinë të takohemi me ekipin amerikan në New York”, tha Zelensky. Ai tregoi se takimi me Trump mund të ofrojë më shumë qartësi mbi hapat e mëtejshëm në procesin diplomatik.
“Mendoj se mund të jem më i hapur pas takimit në New York me Presidentin Trump”, tha ai. Zelensky shtoi se negociatorët ukrainas dhe amerikanë mbetën në kontakt të vazhdueshëm dhe se shpreson për përparim në bisedimet për energjinë dhe drithërat pas takimit të planifikuar.



