Gjatë një fjalimi maratonë prej gati dy orësh në konventën e mesit të mandatit të Partisë Republikane në Dallas, Donald Trump ka bërë një premtim të bujshëm: pagesën e 5,000 dollarëve për çdo qytetar të rritur në SHBA, nëse partia e tij arrin të mbajë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet vendimtare të nëntorit.
Ky propozim, i cili llogaritet të kushtojë mbi 1 trilion dollarë, ka ngritur menjëherë shqetësime të mëdha etike, por njëkohësisht ka zbuluar shkallën e lartë të ankthit brenda kampit republikan përballë sondazheve që parashikojnë humbjen e Dhomës së Përfaqësuesve.
“Nëse fitojnë republikanët, fitoni edhe ju me ne dhe merrni 5,000 dollarë”, deklaroi Trump përpara një turme mbështetësish. Gjatë fjalimit, ai u bëri thirrje votuesve të “bënin sikur ai vetë ishte në fletën e votimit”, pavarësisht faktit se popullariteti i tij aktual luhatet në nivele të ulëta (rreth 38%).
Kjo rënie e popullaritetit ka bërë që shumë kandidatë republikanë në garat e ngushta ta shmangin këtë aktivitet dy-ditor. Trump pretendoi gjithashtu se mandati i tij i dytë ka qenë "dy vitet më të suksesshme në historinë e presidencës", ndërsa u përpoq të ndillte frikë rreth skenarit të një fitoreje të mundshme të demokratëve.
Gjatë fjalimit të tij, Trump preku edhe çështjen e luftës në Iran, duke e paralajmëruar Teheranin “të mos bëhet i bezdisshëm” sepse SHBA-të “do t’i godasin shumë rëndë”. Ai pranoi vështirësitë ekonomike dhe rritjen e çmimit të naftës, por justifikoi nisjen e konfliktit duke pretenduar se Irani ishte vetëm dy ose tre javë larg krijimit të një arme bërthamore.



