Rusët i janë drejtuar këtë të premte kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Dumës Shtetërore, në një proces treditoresh që kontrollohet rreptësishtë dhe ku rezultati final nuk ngre asnjë dyshim.
Partia "Rusia e Bashkuar" e Vladimir Putinit pritet të zgjasë dominimin e saj 23-vjeçar në parlament, e mbështetur nga një grusht partish të "opozitës nominale" që votojnë gjithmonë pro Kremlinit për çështjet kryesore.
Megjithatë, këto zgjedhje, të parat për parlamentin që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022 po zhvillohen në një atmosferë tensioni. Lufta, e cila dikur dukej e largët për qytetarët e thjeshtë, po ndërhyn gjithnjë e më shumë në jetën e tyre të përditshme.
Gjatë verës, sulmet e shpeshta me dronë ukrainas kanë goditur rafineri nafte dhe qendra logjistike në mbarë Rusinë, duke rritur ankthin publik për rrjedhën e konfliktit. Në këtë sfond pasigurie, Kremlini ka shtrënguar akoma më shumë vidat e kontrollit politik.
Muajin e kaluar, autoritetet përjashtuan nga gara partinë e vetme liberale kundër luftës, "Yabloko", duke zhdukur çdo zë institucional që sfidonte hapur pushtimin. Si rrjedhojë, në fletët e votimit mbetet vetëm "opozita sistemike" (nga komunistët te ekstremistët e djathtë), e cila lejohet të bëjë vetëm kritika sipërfaqësore.
Qendrat e votimit do të mbyllen të dielën, ditë kur pritet të zyrtarizohet edhe fitorja e radhë e rreshtuar nga pushteti aktual.



