Mbretëria e Bashkuar po kërcënon të shtyjë sërish samitin e rëndësishëm për rivendosjen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, nëse ky i fundit nuk pranon të negociojë mbi ligjin e ri industrial “Made in Europe”.
Londra zyrtare ka frikë se ky legjislacion evropian i krijuar për të frenuar Kinën, do të bllokojë bizneset britanike nga kontratat miliarda paundëshe në kontinent duke mos i kategorizuar mallrat e tyre si evropiane.
Ministri britanik i Kabinetit, Hamish Falconer, dhe ai i Tregtisë, Anas Sarwar, kanë bërë të qartë se përfshirja e Britanisë në programin "Made in Europe" është prioriteti numër një dhe duhet të jetë patjetër në tryezë.
Takimi që flitej se do të mbahej më 6 nëntor tashmë rrezikon të shtyhet për fundin e nëntorit ose më vonë, derisa BE-ja të lëshojë pe. Holanda, Gjermania, Polonia dhe Italia mbështesin përfshirjen e Britanisë, por Franca mbetet e pabindur dhe kërkon miratimin e ligjit bllokues brenda vitit.
Brenda qeverisë britanike ka frikë se procesi ka humbur ritmin që kur Andy Burnham mori postin e Kryeministrit (pas dorëheqjes së Keir Starmer), ndërsa çështje si lëvizshmëria e të rinjve dhe tarifat studentore kanë mbetur pezull.
Gjithashtu, alarmet në Londër janë shtuar pasi BE-ja ka nisur afrimin e beftë me Kanadanë e Mark Carney-t për një "anëtarësim të asociuar", gjë që tregon se Brukseli po ndryshon prioritetet strategjike duke anashkaluar Britaninë.



