Seriali më i ri dramatik "The Pitt" po kthehet në një fenomen botëror, duke u konsideruar nga profesionistët e shëndetësisë si drama mjekësore më realiste e realizuar ndonjëherë në ekran.
Projekti gjigant i Warner Brothers, i cili ndjek ritmin e çmendur dhe sfidat e përditshme të një qendre traumash në Pitsburg, pritet të jetë triumfuesi i madh i mbrëmjes së sotme në çmimet prestigjioze Emmy, ku udhëheq me plot 25 nominime.
Përtej suksesit me audiencën e gjerë, seriali ka fituar zemrat e mjekëve dhe infermierëve të vërtetë në mbarë botën, nga SHBA-ja deri në spitalet e NHS-së në Mbretërinë e Bashkuar.
Në rolin kryesor vjen aktori i njohur Noah Wyle, i famshëm për rolin e tij në serialin legjendar ER të viteve '90. Ai luan Dr. Michael Robinavitch ("Dr. Robby"), një mjek me përvojë të jashtëzakonshme në urgjencë.
Wyle shërben gjithashtu si producent ekzekutiv dhe pjesë e ekipit të shkrimtarëve, i cili përfshin mjekë të kualifikuar për të garantuar që çdo detaj të jetë sa më autentik. Çdo episod i serialit përfaqëson saktësisht një orë të ditës, duke sjellë në ekran 15 episode plot tension, zhurmë, procedura komplekse kirurgjikale dhe ndërhyrje shpëtimtare të treguara me detaje grafike.
Ndryshe nga dramat e tjera televizive që fokusohen te romancat e personazheve, "The Pitt" përqendrohet tek mjekësia e pastër dhe problemet sistemike siç janë: mbingarkesa e spitaleve, përplasjet e vazhdueshme të mjekëve me administratën për mungesën e shtretërve dhe fluksin e pacientëve pasqyrojnë krizën globale të urgjencave.
Fituesit e mëdhenj të çmimeve Emmy do të shpallen më 14 shtator gjatë ceremonisë madhështore në Los Angeles, ku "The Pitt" synon të shkruajë historinë si seriali më i dekoruar i vitit.



