Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar zyrtarisht se kanë vendosur armë aktive në hapësirë, një lëvizje e jashtëzakonshme publike që ekspertët paralajmërojnë se do të përshpejtojë një garë armatimesh me rrezik të lartë në orbitën e Tokës.
Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm tensionet me dy rivalët kryesorë gjeopolitikë, Rusinë dhe Kinën. Njoftimi bombastik u bë nga Sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, Troy Meink, gjatë konferencës vjetore Ajrore, Hapësinore dhe Kibernetike.
Ai deklaroi se Uashingtoni tashmë ka mjete luftarake aktive "në orbitë", çka nënkupton se ato po qarkullojnë rreth globit.
"Sot, ne vazhdojmë të sigurohemi që mbetemi të gatshëm për t'u përballur me sfidat e kërcënimeve në zhvillim kudo që ato ekzistojnë. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara tani kanë armë në orbitë për kontrollin e hapësirës," u shpreh Meink, duke refuzuar të japë detaje specifike mbi llojin e armatimit.
Ndonëse kreu i Forcave Ajrore ruajti sekretin e detajeve teknike, një zëdhënës i Forcës Hapësinore të SHBA-së sqaroi se termi "kontroll i hapësirës" i referohet përdorimit të mjeteve kinetike (luftarake me goditje direkte) dhe atyre jo-kinetike.
Sipas deklaratës zyrtare, këto kapacitete janë projektuar për të ndikuar në aftësitë e kundërshtarit dhe mund të përdoren si për qëllime sulmuese, ashtu edhe mbrojtëse.
Për analistët e sigurisë dhe astronomët, ky lajm nuk është krejtësisht befasues, pasi dihej se SHBA, Rusia dhe Kina po punonin prej kohësh për sisteme të tilla. Këto teknologji përfshijnë që nga bllokuesit e sinjaleve për çaktivizimin e satelitëve e deri te armët kinetike që qëllojnë predha në hapësirë.
Megjithatë, ekspertët e hapësirës, paralajmërojnë se pranimi publik dhe zyrtar i këtyre kapaciteteve për herë të parë thyen një tabu të madhe diplomatike dhe rrezikon të çojë botën drejt një konflikti të ri e të pakontrollueshëm jashtë atmosferës së Tokës.



