MC Networking

“Durana Tech Park”/ Tomorri: S’mjaftojnë vetëm godinat, ngrihen pikëpyetje për kapacitetet e vendit për të krijuar bërthama të zhvillimit të teknologjisë

Dy vjet pas miratimit të ligjit për parqet teknologjike, qeveria ka marrë në muajin mars vendimin për ndërtimin e një parku të tillë në Xhafzotaj të Durrësit.

Gazetari Klodian Tomori tha se “Durana Tech Park” është projekti i parë që do të ndërtohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve, institucion që prej 2 vitesh nuk bënte asgjë.

Ky është projekti i parë dhe është vendosur të zhvillohet një projekt në fushën e teknologjisë së informacionit. Qëllimi është krijimi i një parku teknologjik shkencor, një zone ku do të ketë vetëm aktivitet ekonomik të industrisë së teknologjisë së informacionit, do të ketë programim, zhvillim softuerësh. Kjo është fusha e veprimit të këtij parku që qeveria ka caktuar që t’ia lejë si zhvillues Korporatës Shqiptare të Investimeve.

Sipas gazetarit, Piramida e Tiranës është një eksperiencë e ngjashme, por që pas shpenzimit të 20 milionë eurove në godinë gjen kryesisht kafe dhe restorante.

IT, teknologjia e informacionit është një nga potencialet më të mëdha. Është sektor që në Shqipëri mund të quhet në fazat e para dhe ka potencial. Nëse Shqipëria do të arrijë ta zhvillojë siç duhet ky mund të shndërrohet në një front tjetër të eksporteve shqiptare. Shqipëria eksporton 160-180 milionë euro shërbime të teknologjisë së informacionit.

Kemi dhe një eksperiencë të ngjashme, ajo e Piramidës , u konstruktua për t’u shndërruar në një nukël, në një bërthamë ku të kishte aktivitet të IT, por të paktën nga ajo që shihet nga jashtë. U shpenzuan 20 milionë euro për ndërtimin e Piramidës, rezultati i Piramidës sot është i dyshimtë, se nga jashtë sheh kafe, restorante dhe sufllaqe.

Pikëpyetja më e madhe që ngre Tomorri është nëse do arrijë Shqipëria të krijojë këto lloje qendrash, duke qenë se për të krijuar industri të tillë nuk mjafton vetëm godina.

Sa do të arrijë Korporata Shqiptare e Investimeve, Shqipëria të krijojë këto lloj qendrash, duke pasur parasysh dhe çështjen e trurit, se nuk mjafton vetëm godina? A ka Shqipëria këtë kapacitet për të krijuar bërthama intensive të zhvillimit të kësaj industrie apo thjesht do të shërbejë si modeli i fasonit, ku kompanitë nga jashtë vijnë për të përfituar nga regjimi i favorshëm fiskal?

Në vendimin e qeverisë thuhet që do të ketë privilegje fiskale që më vonë do të detajohen. A do të jetë zonë pa taksa? Nëse do të jetë ashtu ekziston rreziku që të kesh disa kompani nga jashtë që sjellin, transferojnë aktivitetin me punonjësit e tyre, por benefitet për vendin janë të dyshimta, apo bizneset do të arrijnë të integrohen në sektorin e IT apo do e shfrytëzojnë? Kjo është pikëpyetja.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top