MC Networking

Kryebashkiaku i Libohovës paralajmëron dorëheqjen

Deklaron se nuk kishte dijeni se ishte në hetim teksa kandidoi për kryebashkiak.

Qytetari i Parë i bashkisë Libohovë Leonard Hide paralajmëron se është i gatshëm të jap dorëheqjen nga posti për tu përballur me drejtësinë.

Lejoi në pesë rasti kultivimin e canabis teksa ishte në postin e shefit të krimeve në Komisariatin e Gjorkastrës, sot vihet përballë prokurorisë së posaçme në postin e kryebashkiakut të Libohovës zgjedhur më 14 maj 2023.

Nga dera e SPAK ai paralajmëroi se është i gatshëm të jap dorëheqjen ndërsa nuk ka patur dijeni se ishte person në hetim.

Ky hetim nisi fillimisht në prokurorinë e Gjirokastrës ndërsa në vendimin e siguruar nga emisioni FactCheck, firmosur nga prokurori Gazmend Frëngu thuhet se shpallet moskompetenca e procedimit penal të nisur në vitin 2021 pasi shtetasi Leonard Hide me mandatin e kryebashkiakut tashmë është subjekt i posaçëm.

Ai akuzohet për ‘Shpërdorim detyre" kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Akuzë kjo e cila lidhet me 5 episode gjatë vitit 2021 ku me dron janë konstatuar në zonat Panjë, Zhulat dhe Kolonjë, parcela me bimë të kultivuara, ose gati për tu kultivuar por nga ana e seksionit të krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër nuk janë ushtruar kontrolle të mëtejshme dhe nuk janë ndjekur në vijimësi.

Në dy episode janë nisur grupe kontrolli nga Tirana në një operacion policor të fshehtë për të identifikuar parcelat për të cilat drejtuesit e komisariatit të Gjirokastrës kishin mbyllur sytë. Në një rast në zonën e "Panjës" Zhulat u zbuluan 2 parcela me kanabis me gjithsej 780 bimë narkotike në një distancë 1 km larg rrugës pikërisht në zonën ku policia e Gjirokastrës kishte kryer kontroll por nuk kishte raportuar asgjë.

Ndërsa në zonën e quajtur "Lugu i gjatë" Kolonjë, u gjet një terren me 900 gropa të hapura ku evidentoheshin qartësisht bimë të shkulura narkotike në nxitim e sipër. Parcela ishte 36 metra larg rrugës e sërish nuk ishe identifikuar.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria që kanë nisur hetimet kanë konstatuar se:

"Strukturat e hetimit të krimeve të drejtuara nga Leonard Hide në asnjë rast nuk kanë ndjekur me hetime të mëtejshme të dhënat e evidentuara në raportet e shërbimeve të dt. 02.06.2021, 02.09.2021, 10.09.2021 që ju takonin zonave Panjë, Zhulat dhe Kolonjë, nuk kanë përpiluar informacione për DVP Gjirokastër, nuk kanë "evidentuar pronarin/poseduesin e parcelave si dhe nuk kane ushtruar rikontrolle në territor”.

Në dosjen hetimore thuhet se Hide dhe kolegu i tij kanë shpërdoruar detyrën me dashje “Krahasimi i koordinatave në aplikacionin "Google Earth Pro" tregon se vendi ku është ushtruar kontroll në dt. 10.09.2021 nga grupi me përgjegjës punonjësin e policisë Hajdin Musaraj është në distancë prej vetëm 1 km rrugë tokësore nga dy parcelat e konsiderueshme me rreth 780 bime narkotike të gjetura në dt. 22.09.2021 nga Drejtoria e Pergjithshme e Policisë. Kjo distancë është lehtësisht e verifikueshme me dron dhe nga grupi i kontrollit me dashje nuk është referuar për asgjësim. Shefi i Komisariatit Besnik Lila dhe Shefi i Krimeve Leonard Hide nuk kanë ndjekur në vijimësi rastin dhe as kane kërkuar rikontroll në ditët në vijim të zonës përreth”.

Ky është rasti i parë kur një kryebashkiak në detyrë është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme si funksionar publik që ka lejuar kultivimin e drogës teksa ka mbajtur një detyrë të rëndësishme si ajo e shefit të krimeve.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top