Mungesa e transparencës nga ana e ekzekutivit shqiptar dhe rreziku për shkeljen e të drejtave të njeriut, renditen si arsye kryesore në letrën që 29 organizatat e shoqërisë civile i drejtuan Qeverisë lidhur me kampet e refugjatëve në Lezhë.
Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Klodi Leka, tha në edicionin e lajmeve në MCN Tv se pakti Rama-Meloni është anti-kushtetues dhe se ngritja e kampeve të refugjatëve do të rikthejë sërish në Shqipëri skafin, kalimet ilegale dhe punën në të zezë të emigrantëve.
Leka theksoi se kundërshtia e Lëvizjes Bashkë mbi kampet, nuk vjen aspak mbi baza racore, por kundër shndërrimit të territorit të Shqipërisë në një hapësirë të errët, përmes atyre që ai i quajti “kampe internimi”.
I pyetur se cilat janë argumentet kundër marrëveshjes Leka tha:
Një nga pikat kryesore të letrës së hapur, e cila është artikuluar në media gjithë këto ditë, është se ngritja e kampeve të pritjes së refugjatëve në Lezhë bie ndesh me disa pika. Pika e parë është shkelja e kushtetueshmërisë dhe cenimi i sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë. Në Lezhë do të ngrihet një kamp ku shteti shqiptar s’do ketë asnjë lloj juridiksioni dhe kontrolli brenda këtij kampi. Kjo është në kundërshtim qoftë me germën, qoftë me frymën e Kushtetutës, që njeh si autoritet të vetëm shtetin shqiptar. Akti i z.Rama është jo demokratik, i pakonsultuar dhe fyes për opinionin publik, duke marrë parasysh se miratimi i kësaj marrëveshje në Këshillin e Ministrave u krye nga zv.kryeministrja Balluku.
Ne nuk e dimë se sa mund të respektohen apo mund të shkelen të drejtat e njeriut, në një hapësirë ku shteti shqiptar s’ka asnjë lloj të drejte, kontrolli dhe autoriteti. E katërta, s’është marrë parasysh zëri i komunitetit, s’kemi asnjë dëgjesë, as një konsultim, s’ka asnjë lloj transparence. Vendimi erdhi si rrufe në qiell të hapur, është një akt shumë i padrejtë, jo demokratik, dhe autoritar. Lëvizja Bashkë nuk e kundërshton këtë marrëveshje në pozitat e ksenofobisë, racizmit, por thjesht shqetësohemi se si ne, një popull që kemi qenë historikisht kemi qenë refugjatë, e shndërrojmë territorin tonë në një hapësirë të errët, ku secili mund të projektojë idetë e tyre. Mbi të gjitha është e padrejtë për refugjatët, që kanë kaluar një kalvar të gjatë për të përfunduar në Europë, dhe në fund e gjejnë veten në Shqipëri ku ata nuk dëshirojnë të vijnë, nuk dëshirojnë të vijnë këtu, dhe është turp se si hapësira e Shqipërisë përdoret si një farë mjeti shantazhi ndaj refugjatëve të vendeve të botës së tretë”.
Lidhur me letrën e 29 organizatave drejtuar kryeministrit dhe mundësisë që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë marrëveshjen Rama-Meloni, aktivisti i Lëvizjes Bashkë u shpreh:
Janë organizata të shoqërisë civile që supozohet se bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut, të elementëve më bazikë të demokracisë, dhe shprehin një farë shqetësimi që vjen nga qytetarët dhe opinioni publik. Me sa shohim kryeministri Rama e ka ndarë mendjen, nuk pyet për organizata, për shoqata, as për opozitën, do ta çojë para si projekt. Tonet e tij ishin shumë arrogante, shumë të çuditshme për një kryetar qeverie, që supozohet që është zgjedhur demokratikisht. Kundërshtimi ndaj këtij akti përbëhet nga dy pjesë, njëra pjesë që e kritikon Ramën në pozitën e ksenofobisë, dhe një pjesë që e kritikon Ramën për shkak të mungesës së transparencës publike, mungesës së ligjit, mungesës së demokracisë. Nëse do ankimohet, Gjykata Kushtetuese do të shprehet kundër kësaj marrëveshje. Mundësitë janë që ta çoj çdokush në Gjykatën Kushtetuese.
Unë e quaj personalisht një farë kampi internimi, sepse nuk janë kampe që marrin parasysh të drejtat, dhe gjendjen e emigrantëve afrikanë. Kritika mbi baza ksenofobie dhe racizmi i shërben vetëm Ramës dhe eksponentëve të tij. Madje Rama në daljen e fundit mediatike, e karakaturoi të gjithë këtë kritikën mbi baza racore, dhe i dha mundësinë vetes që nisur nga këto kritika, të duket si një farë përfaqësuesi i humanizmit, por në fakt qëllimi janë qokat e tij të vogla personale dhe synimet e tij, se di cilat janë synimet e tij të fshehta dhe për çfarë po e përdor miqësinë me Melonin. Protesta në Lezhë ka pasur nga PD, por edhe eksponentë të ndryshëm të shoqërisë civile”.
Leka paralajmëroi se emigrantët, që kanë kaluar sfida dhe kalvare të shumta, do të përdorin çdo lloj mjeti për t’u larguar nga Shqipëria.
Supozohet se në këto kampe do bëhet një farë seleksionimi, dhe ideja është që ata që s’do futen në vendet e BE, do lihen të lirë, s’do kthehen në vendet e origjinës. Do përpiqen të përdorin çdo mjet legal, ose jo legal, të kalimit të kufirit. Do rikthehet sërish ideja e skafit dhe puna në të zezë e këtyre refugjatëve, që kanë kaluar në disa shtete, në disa sfida, kanë parë vdekjen me sy, dhe nuk e kanë problem besoj që të përdorin çdo mjet të ndryshëm për të kaluar në tokën e BE. Ne duhet të kritikojmë qeverinë tonë që po merr përsipër të kthehet në një farë 'qeni roje', dhe po e kthen territorin e Shqipërisë, në një hapësirë të errët, ku fuqitë e mëdha mund të bëjnë çfarë të duan”.
I pyetur mbi mundësinë e protestave, aktivisti thotë:
Jemi gjendur disi të befasuar nga shpejtësia se si Rama dhe qeveria e ka miratuar këtë marrëveshje, dhe në momentin kur të kalojë në Parlament, do të thërrasim qytetarët. Ne nuk jemi racistë, është shumë e rëndësishme kjo, por kundërshtojmë autoritarizmin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Të vetmit që mund ta ndalojnë kthimin e Shqipërisë në një kamp refugjatësh për vendet e botës së tretë, janë qytetarët shqiptarë, forcat përparimtare e progresive. Edi Rama duhet ta tërheqë pas vendimin dhe s’duhet ta lejojë kthimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, në një tokë pa zot, që s’është në kontrollin e shtetit shqiptar, dhe s’mund ta përdorë territorin e vendit sipas interesave imediate dhe okulte të tij. Ka zëra brenda grupit parlamentar, brenda pushtetit që janë kundër, por do shohim si do zhvillohet situata”.
Ndër të tjera Leka i konsideron meme-t e kryebashkiakut Pjerin Ndreu me elemente raciste dhe një “ironi të trashë”.
Deklaratat e kryetarit të bashkisë së Lezhës janë të turpshme, janë raciste, merret me meme! Pjerini duhet të merret më shumë me problematikat e zonës dhe varfërinë. Një kryetar bashkie e ka qoftë tagrin, qoftë moralin, për ta shprehur një farë kundërshtie. Jam shumë i sigurt që nëse do ishte në opozitë, do ishte një nga zërat që do ta kundërshtonte me tone raciste këtë marrëveshje. Edhe memet që ai bëri, edhe pse e kundërshtojnë racizmin, në të vërtetë kanë tonë raciste, sepse e bëjnë emigrantin afrikan në objekt talljeje. Edhe ironinë aty e ka shumë të trashë. Ai po përdor elementë racistë, për sa kohë thotë që do organizojë konkurs kush sjell memen më të mirë të afrikanëve@ PS s’është fare humaniste. Është një parti që 10 vitet e fundit ka larguar 1 milion qytetarë nga vendi. Pjesa e rinisë së Lezhës po largohet, papunësia dhe mungesa e infrastrukturës është shumë e lartë. Z.Ndreu nuk është aktor humori, duhet ta kritikojë në pozita serioziteti! Z.Ndreu duhet të jetë transparent, t’u përgjigjet qytetarëve. Ai s’do ta ketë territorin nën kontroll apo juridiksion”.
0 Comments: