MC Networking

“Sekserët” e tenderave të energjisë, serbët fituan shumicën e kontratave

Historia botërore e krizave ka një listë të gjatë me kompanitë që kanë bërë pasuri të mëdha në situatat e depresionit ekonomik. Emrat e më të pasurve të botës, i hodhën themelet e bizneseve të tyre në kohërat kur bota vuante nga reçesioni, lufta dhe falimenti.

Formula e Paul Getty, një prej manjatëve amerikanë të naftës gjatë Depresionit të Madh, vazhdon të frymëzojë sipërmarrësit edhe gjatë ditëve të sotme. “Bli kur të gjithë shesin dhe mbaje derisa të gjithë të nisin të blejnë”.

Kjo ndodhi dhe në krizën e çmimeve të larta të energjisë elektrike. Tregtarët blenë kur energjia ishte lirë dhe ia shitën shtetit shqiptar në kohën që bursat kapën çmime stratosferike.

“Në periudha krizash qeveritë e përgjegjshme rishikojnë qasjen që kanë ndaj burime të energjisë, politikave fiskale që ndjekin për energjinë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje”, thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

“Vlerësimet janë që kompanitë qëkanë tregtuar energji ndaj krizës kanë patur rritje të mëtejshme të fitimit dhe sigurisht për ta kriza ka qënë bekim, ndërsa për qytetarët dhe financat e shtetit kriza kishte pasoja të thella negative”, sqaron gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri.

Janë 5 kompani të cilat kanë ndarë mes tyre 80% të tregut të energjisë elektrike në vitin 2022.

409 milion euro janë fituar nga firmat EFT, GSA, TID, Info Telecom dhe Noa Energy Trade. 13 shoqëri të tjera kanë ndarë 94 milion euro.

“Kompanitë marrin një pozitë të caktuar në treg falë tregut të lirë dhe jo falë lobimit dhe inteferencave politike”, thotë Zef Preçi.

“Tregu i blerjes së energjisë elektrike është i përqëndruar, 5 kompani kanë 80% të tregut, ndërsa 13 të tjera ndajë 20% të tij”, thotë gazetari Klodian Tomorri.

EFT Ag listohet e para në sasinë që i ka shitur KESH si energji ndaj krizës, por dhe të paratë që ka arkëtuar. Kompania ka marrë 151.5 milion euro për 496 mijë megavat orë të shitura gjatë gjithë vitit.

EFT është një kompani e regjistruar në Zvicër, por pronari përfitues i saj është manjati serb Vuk Hamovic.

“Historia e EFT-së në tregun shqiptar të energjisë është e hershme, në kohën kur socialistët ishin në opozitë akuzonin qeverinë se ishte e lidhur me EFT dhe i kishte krijuar treg që të bënte para, besoj i mbani mend dhe akuzat që bëheshin për Damir Fazlliç dhe persona të tjerë të lidhur me këtë firmë. Pushteti u ndryshua por EFT vazhdoi të bënte biznes në Shqipëri dhe me qeverinë e Partisë Socialiste dhe mbeti lojtari kryesor i tregut të energjisë”, thotë gazetari Tomorri.

Kontraktori i dytë më i madh i KESH është GSA, firma në pronësi të Agron Shapllos dhe Serafin Orgockës. Ajo ka shitur 113.9 milion euro energji për korporatën, ndërsa e treta është Tirana International Development. Një firmë e re në tregun e energjisë në pronësi të Behar Males, por që kriza i hodhi në arkë vetëm për shitjet e energjisë ndaj KESH 63.8 milion euro. Info Telecom e Marin Gjonaj i shiti vitin e shkuar KESH-it 51.3 milion euro energji dhe Noa Energy Trade në pronësi të Gentian Sulës shiti 28.2 milion euro. 

“Shqetësimi më i madh nuk është cila nga këto kompani merr llokmën më të madhe, por a duhet të ekzsitojë ky model? A duhet të blihet energjia nga disa sekserë që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm me një kompjuter dhe 2 punonjës xhirojnë shuma marramendëse parash dhe fitojnë miliona euro?” thotë gazetari Tomorri.

“Përse i bëjnë tenderat e mbyllur, ne mund të shohim nëse ato kanë likuiditetin e duhur për të hyrë në garë dhe për të parë sa mundësi kanë për të përmbushur detyrimet, përse kanë frikë nga transparenca?” thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.

Tenderat e shit-blerjeve të energjisë janë të mbuluar me prapaskena, flamuj të kuq dhe shkelje të rregullave bazë të prokurimit publik.

E favorizuar nga një rregullore e miratuar në prill të vitit 2018-ë, e cila i lejon të mbajë sekret emrat e shoqërive që kryen procedurat e shit-blerjeve të energjisë elektrike, korporata ka shitur energji në shkelje të konkurrencës dhe në një disa raste duke i shkaktuar vetes dëm ekonomik.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga Kronos dëshmojnë se dy kompani në fushën e tregtimit të energjisë që marrin pjesë në tenderat e KESH : Info Telecom dhe Ener Trade janë të lidhura me një pronar: Marin Gjonaj. Te e para Gjonaj zotëron të gjitha aksionet, ndërsa te firma tjetër ndan gjysmat e kuotave me Artur Mickaj. Me të dyja këto kompani Gjonaj ka i ka shitur KESH-it vitin e shkuar 70.2 milion euro. Ekspertët e shohin këtë situatë si një shkelje të konkurrencës e cila ndalohet nga ligji i Prokurimit Publik dhe duhet të denoncohet nga autoritetet që gjenden përballë këtyre rasteve.

“Është rast i pastër koluzioni dhe ka dhe një nen në ligjin e prokurimeve që e cilëson si praktikë të ndaluar dhe të paligjshme porn ë Shqipëri ndodh shpesh. Hedh dyshime të forta për paracktim dhe afera korruptive.” thotë gazetari Tomorri.

Por ky nuk është rasti i vetëm i shkeljes. Në vitin 2021, KESH lidh një kontratë për shkëmbimin e energjisë elektrike me kompania NOA Energy Trade. Skema ishte e tillë: Noa ia merrte energjinë ditën dhe ia kthente natën, duke fituar nga kjo kontratë 5.1 milion euro. Në fund i mbetet borxh një sasi energjie KESH-it prej 20 mijë megavat orësh, por pasi çmimet në bursa rriten, nuk ia kthen. Edhe pse sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit sasia kushton 9.3 milion euro, KESH nuk bën asgjë për të vjelë detyrimin, por vijonte marrëdhëniet normale me firmën dhe në dëm të interesave financiare të korporatës. Gjatë vitit 2022, Noa Energy Trade i shiti KESH-it 64,780 megavat orë energji elektrike me një çmim mesatar 330 euro/megavat orë. Në muajin korrik çmimi që kjo kompani i shiti korporatës kaloi dhe 500 euro për megavat orë, por në vend që KESH të mbante energjinë si detyrim i pakthyer, “fryu” arkën e privatit.

“Edhe në periudhën kur nisi kriza dhe ne e blinim energjinë sjhumë shtrenjtë ne vazhdonim marrëveshjen me këtë kompani dhe në atë moment duheshin marrë masa. Me sa dimë ky është një fakt i kryer dhe marrëveshja për mua është e dështuar.” thotë Duleviç.

“Nëse me një kompani bëhet marrëveshje për shkëmbim energjie dhe ajo nuk përmbush detyrimet, atëherë enti prokurues nuk duhet të vazhdojë kontraktime të mëtejshme” thotë Zef Preçi.

“KESH në 2021 u angazhua në një marrëveshje me kompaninë private Noa që ishte e pastër korruptive. I jepte energji ditën dhe ia merrte natën, por kjo diferencë nga dita në natën në dëm të KESH kishte lëvizje të çmimit dhe 150 euro për megavat orë. NOA I mbetet një sasi energjie borxh kur u rritën çmimet nuk i kthente energjinë. Nëse një kompani që merr pjesë në tender në Shqipëri nuk dorëzon vërtetim që nuk ka paguar detyrimet, faturat e dritave skualifikohet automatikisht, kurse Noa vijonte të bënte biznes lirshëm”, thotë gazetari Klodian Tomorri.

Asnjë prej firmave që i shesin energjinë KESH-it nuk janë prodhues të energjisë, me përjashtim të Ayen Trade që ka hidrocentralet Fang dhe Peshqesh. Të tjerat blejnë energjinë në bursa dhe pasi vendosin një marzh të mirë fitimi për veten, ia shesin kompanive publike. Këta sot janë ndër më të pasurit të në Shqipëri, por shpenzimet për operacionet e kompanisë i kanë mjaft të ulta. Ata paguajnë 2 deri në maksimumi 3 punonjës duke u bërë mirëfill “sekserë”.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top