Në puntatën e sotme të emisionit “Rrëfimi Juaj” në MCN TV ishte në qendër një nga veteranët e sportit të futbollit në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për Shefqet Lamçja, një trajner i cili tërë jetën ia dedikoi futbollit dhe nxënësve të tij.
Shefqet Lamçja gjithmonë do të kujtohet si një ikonë e futbollit elbasanas, pasi emri i tij do të gdhendej në historikun e këtij sporti, për shkak të sfidave, arritjeve dhe përkushtimit. Revolucioni që Shefqeti solli në qytetin e Elbasanit do sillte fitore që edhe sot e kësaj dite do kujtohet me krenari nga tifozë dhe nxënës të tij, të cilët ngritën peshë mijëra zemra tifozësh elbasanas, por jo vetëm.
Ndonëse terreni dhe kushtet kanë qenë të vështira, kjo nuk e bëri asnjëherë që Shefqet Lamçja të hiqte dorë. Ai do të trajnonte të rinjtë dhe ekipet e pionerëve të Elbasanit, e më pas në vitit 70’ ai do të bëhej trajner i Cerrikut, ku edhe mori mjaft arritje. Klasat sportive nën drejtimin e profesor Lamçjes do të nxirrnin sportistë, ku më vonë do të ishin elita e futbollit shqiptar. Në vitin 2005, ai u largua nga Shqipëria për t’ju bashkuar fëmijëve të tij në Greqi, ku edhe ndërroi jetë në 15 maj të vitit 2012. Ndonëse një figurë e vlerësuar nga qytetarë dhe sportistë, asnjëherë nuk arriti të vlerësohej duke marrë një titull nga institucionet.
Në banesën e tij bie në sy amortizimi total i saj, ku me kalimin e viteve, shihet qartazi harresa dhe shkatërrimi i saj, një derë e cila ishte e hapur për këto, sot ajo qëndron e mbyllur nën petkun e harresës.
Arian Roseni, nipi i Shefqet Lamçja, duke folur për MCN TV tha:
Futbolli për atë ishte si një fëmijë i dytë. Ai ishte shumë i përkushtuar ndaj futbollit. Plus futbollit, ai kishte shumë dëshirë edhe për natyrën, ishte gjuetar. Nuk ka pasur ndërhyrje. Në futboll nuk hyn shtresa e naltë. Lala e kishte aty, shi, diell, borë. Ai e kishte shtëpinë e dytë. U lutej prindërve, që fëmijën ‘ma bjer’. Lalën, nxënësit e vet e donin si prind. Edhe ai fëmijët e nxënësve i donte si fëmijët e vet. Tre armët kryesore të jetës ka pasur, sportin, gjuetinë, muzikën. Ai ishte tamam si Trapatoni, që s’rrinte në një vend, lëvizte, e ndjente shumë”.
Në një intervistë nga fusha e vjetër, që tashmë mban emrin “Shefqet Lamçja”, ish-futbollisti i kombëtares Dhimitër Gjika, kujton:
Kujtimet për Shefqet Lamçjan, janë të paharruara. Ai ishte tifoz i jashtëzakonshëm i Brazilit, sa herë shikoj Brazilin, kujtoj Lalën. Unë jam produkt i Lalës. Ishte njeri i dashur, i apasionuar pas futbollit, na trajtonte si të ishim fëmijët e tij, me një dashuri, rrallë mund të ndeshësh figura si Shefqet Lamçja. Unë shoh në TV ekipin e Brazilit dhe shoh që bën disa ushtrime që Lala na i bënte atëherë! Ishte i çmendur, ishte i paparë!”.
0 Comments: