Nga programi i rindërtimit duket se përfitoj dhe vetë instituti i ndërtimit. Nëse ky ishte një shpërblim për punën e bërë gjatë kohës së tërmetit, apo godina pësoi vërtetë dëme nga tërmeti, kjo nuk është e qartë. Ndonëse bën pjesë tek tenderat me procedurë të përshpejtuar, tenderi për “RIAFTËSIM SIZMIK DHE RIKONSTRUKSION I GODINËS SË INSTITUTIT TË NDËRTIMIT” u hap dy vjet pas tërmetit , më datë 31.12.2021.
Më shumë duket si një dhuratë që qeveria i bëri institutit të ndërtimit, pas ndihmës që ky i fundit i dha me vlerësimet në terren dhe oponencat teknike të shumë objekteve të dëmtuara gjatë asaj kohe. Me vendimin 749 datë 9.12.2021 këshilli i ministrave vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të godinës së institutit të ndërtimit dhe caktimin e tij si njësi zbatuese. “Instituti i ndërtimit caktohet si njësi zbatuese për zbatimin e projektit të rikonstruksionit të godinës së tij- thuhet në vkm.
Tenderi me procedurë të kufizuar , në kuadër të procesit të rindërtimit, ishte me vlerë të plotë, në masën 689 milionë lekë. “Objekti ekzistues ka disa dëmtime në muraturën mbajtese për shkak të tërmetit”. Kjo është fjalia e vetme që lidh dëmtimet me tërmetin, në të gjitha dokumentat e tenderit. Të tjerat flasin për gjendjen e amortizuar në të cilën ndodhej kjo godinë prej vitesh.
“RELACION ARKITEKTONIK”
“Suvatë janë të degraduara në masën 60%. Pllakat dhe shtresat po ashtu janë të dëmtuara në pjesën dërrmuese të ndërteses. Shtresat e taracës janë të degraduara dhe nuk e kryejnë më izolimin e taracës. Muret për shkak të ujrave që vijnë nga taraca, janë shumë të dëmtuara”.
“Për të përmirësuar parametrat termoizolues të fasadës është domosdoshme pastrimi i gjithë fasadës nga suvaja ekzistuese, përforcimi ose rinovimi i te gjithë pjesëve të murit ekzistues perimetral të dëmtuar nga koha apo tërmeti” .
Askund nuk flitet për tërmetin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar godinës. Madje kjo nuk pasqyrohet as në fotot e institutit të ndërtimit bashkëlidhur dokumentave të tenderit. Godina e Institutit të Ndërtimit, e vendosur në – një ish repart ushtarak në zonën e Tufinës, u ndërtua me paratë e fondit të rindërtimit, por zyrat e reja edhe duhen mobiluar.
Si institucion me vetëfinancim , pas të ardhurave që mblodhi nga puna pas tërmetit, Instituti i ndërtimit ka hapur procedurën për “Blerje mobilje dhe orendi per nevojat e Institutit të Ndërtimit” me fond limit 87 milionë lekë. Ky është projekti luksoz i mobilimit të zyrës së drejtorit Artan Shkreli. Karrigia e titullarit dhe kolltuku në zyrën e tij duhet të jenë lëkurë, madje ekologjike. Në zyrën e drejtorit nuk duhet të mungojë as frigoriferi personal.
Me projektin e zbatuar vetë, punonjësit e institutit të ndërtimit, kanë menduar të mos i lënë asgjë mangët vetes. Kuzhina, mensa, veranda, salla e konferencave dhe biblioteka do të jenë gjithashtu të mobiluara sipas fjalës së fundit. Paralelisht me hapjen e procedurës për blerjen e mobiljeve, Instituti i ndërtimit po prokuron dhe blerjen e 33 kondicionerëve, me fond limit 33 milionë lekë, me fondet e veta.
Në total janë 809 milionë lekë, që një institucion me vetëfinancim si instituti i ndërtimit, nuk do të arrinte t`i mblidhte dhe shpenzonte kurrë. Kur bëhet fjalë për një fond prej 689 milionë lekë, këto para janë vetëm një grusht nga thesi i madh i rindërtimit, një pjesë e të cilave u morën borxh.
0 Comments: