Mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare, më 19 korrik, shënon hapin e parë në etapën e dytë të rrugëtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian. Hapja e negociatave për të dy vendet do të paraprihet nga tryeza e përbashkët ku përfaqësues të dy vendeve dhe ata të Bashkimit Europian do të paraqesin pozicionet e tyre. Në një lidhje Skype, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i European Movement Albania, tha se kjo fazë e re, në rastin më të mirë, mund të marrë 7 ose 8 vjet. Gjipali iu referua rastit të Kroacisë.
Dita e nesërme është shumë e rëndësishme. Që nesër do të bëhet publik kuadri negociator. Ka qarkulluar një dokument jozyrtar, por që ka të gjithë elementët. Nesër Shqipëria nga një anë dhe BE nga ana tjetër do të paraqesin pozicionet e tyre për negociatat.
Është e vështirë të përcaktosh në kohë sepse varet sa shpejt ecën vendi. Procesi mund të shkojë në rastin më të mirë 7-8 vjet, si rasti i Kroacisë. Shpresoj që të jemi në nivelin e saj. Rëndësi ka të ecim përpara në reforma në mënyrë cilësore. Sa i takon kapitullit 23, reformës në drejtësi, ne jemi në avantazh në krahasim me Malin e Zi dhe Serbinë, por në aspektin ekonomik dhe financiar jemi më mbrapa.
Gjipali tha se çështjet më të rëndësishme mbeten ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe mirëfunksionimin e tij.
Çështjet kryesore kanë të bëjnë me shtetin ligjor, rregulloret dhe zbatimi. Fokusi do të jenë kapitujt 23, 24: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, trafiqeve. Nevojitet zbatim i ligjit në këtë fushë. Duhet të ketë vendime gjykatash, të mbyllet cikli. Këta janë kapitujt e parë që do hapen dhe të fundit që mbyllen. Ajo që negociohet është vetëm koha për t’i plotësuar kushtet. Përmbajtja nuk negociohet, ndryshon koha e zbatimit në varësi të gatishmërisë së vendit.
0 Comments: