Shqipëria dhe Kosova, në krahasim me vendet e rajonit, sipas statistikave të “Worldometer” dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë bërë më së paku testime të COVID-19 në një milion banorë.
Kosova për COVID-19 ka testuar gjithsej 65 mijë e 716 persona në një milion banorë, ndërsa Shqipëria 52 mijë e 580.
Në vendet e rajonit më së shumti testime ka kryer Greqia, me mbi 201 mijë për një milion banorë, ndërsa pas saj renditet Serbia me pothuajse 173 mijë testime.
Maqedonia ka testuar më shumë se 140 mijë persona të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe Mali i Zi mbi 174 mijë.
Sa i përket numrit të vdekjeve nga koronavirusi, Kosova dhe Shqipëria, në krahasim me vendet e rajonit, renditen në vendin e katërt dhe të pestë.
Deri më sot në Kosovë janë regjistruar gjithsej 882 raste të vdekjeve nga COVID-19, ndërsa në Shqipëri 623.
Në këtë renditje Maqedonia është e para sa u përket vdekjeve nga koronavirusi, me gjithsej 1305 dhe Greqia e dyta me 1106 persona që humbën jetën nga virusi.
Serbia renditet e treta, një vend më përpara Kosovës, me gjithsej 1009 persona të vdekur nga COVID-19.
Në këtë listë, sa i përket këtij krahasimi, Mali i Zi deri më sot ka shënuar më së paku vdekje nga koronavirusi. Në këtë vend janë regjistruar 391 raste të vdekjeve të prekur me COVID-19.
0 Comments: