MC Networking

Kërcënuan grupin e xhirimit të Tv në Rrogozhinë/ Policia shoqëron të afërmit e kandidatit të PS, Edison Memolla

Teksa më 23 korrik, do të mbahen sërish zgjedhjet lokale në Rrogozhinë, ku sërish do të garojë Memolla dhe Shkëlqim Hoxha, gazetarët e “Syri Tv” janë kërcënuar, teksa kanë qenë në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokal duke xhiruar një mbledhje të Partisë Socialiste në qytet. Pas publikimit të pamjeve dhe reagimit, Policia ka bërë me dije se ka shoqëruar dy xhaxhallarët e kandidatit të Partisë Socialiste, të identifikuar si: 65-vjeçari Arif Memolla si dhe një 47-vjeçar tjetër me emrin Agim Memolla, të afërm të Edison Memollës, kandidatit të PS. Njoftimi Rrogozhinë Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë. Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.
  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top