MC Networking

Euro mbyt Shqipërinë, 8 miliard € u konvertuan në 2022

Qarkullimi i monedhës euro në tregun shqiptar ka arritur rekorde historike. Kronos ka arritur të sigurojë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë mbi sasinë e monedhës euro të këmbyer ndër vite, të cilat tregojnë se fluksi i euros vitin e shkuar u rrit me 30% dhe 23% gjatë periudhës nga prilli i vitit 2022 deri në prill 2023.

Në tregun e këmbimit valutor vendas të sistemit bankar dhe zyrave të këmbimit, janë konvertuar 7.9 miliard euro për gjithë vitin 2022 dhe nga prilli i vitit të shkuar deri më sot janë këmbyer 8.7 miliard euro. Vetëm në 4 muajt e parë të vitit vlera e euros e këmbyer është 2.432 miliard euro,186 milion më e lartë se një vit më parë.

Rritja e sasisë në qarkullim gjatë viteve të fundit të monedhës euro është më e lartë se progresioni i rritjes ekonomike apo trendit natyral të rritjes së saj.

Të dhënat e siguruara nga Kronos tregojnë se në vitin 2022 kanë qarkulluar në treg 2.266 miliard euro më shumë se në vitin 2021, në një kohë që trendi historik i rritjes së qarkullimit të kësaj monedhe varion nga 50 milion deri në 100 milion euro në vit.

“Valuta lëviz nga kërkesa dhe oferta që kanë importuesit, eksportuesit për transaksionet e tyre. Nëse i referohemi statistikave zyrtare të import-eksportit nuk na del përputhje të këtyre flukseve që kanë hyrë nga këto tregues të ekonomisë. Kemi një rritje me rreth 10% në dy vitet e fundit, por që nuk i përgjigjet rritjes me 30% të konvertimit të euros si gjatë vitit të shkuar dhe gjatë kësaj periudhe”, thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

Rekordin historik, sasitë e monedhës europiane e kanë shënuar në dhjetor të vitit të shkuar me 933 milion euro të këmbyera. Në janar janë konvertuar 607 milion euro, 530 në muajin shkurt, 700 milion në mars dhe 595 milion euro në muajin prill. Flukset janë 20% më të larta se mesatarja historike.

“Nuk lidhet vetëm me remitancat apo me të ardhurat që vijnë nga turistët pasi tani jemi në pjesën më të ulët të sezonit turistik, ne pikun e presim pas qershorit. Shqipëria 50% të turistëve e qarkullon nga muaji qershor deri në gusht.” thotë Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Turizmit.

Monedha e përbashkët europiane arriti në nivelin më të ulët historik që nga hyrja për herë të parë në tregun vendas përballë lekut. 1 euro këmbehej me 110.7 lekë ndërsa ekuilibri i ri i saj duke se do të jetë ky. Frika dhe pasiguria për mbiçmimin e lekut gjatë sezonit turistik dhe pas zgjedhjeve ka shqetësuar shumë prodhuesit dhe eksportuesit që po pësojnë humbje nga zhvlerësimi i valutës.

“Jemi përpara sezonit veror dhe nuk i dihet se sa do të zgjatë ky mbiçmim i lekut. Ndaj them që nuk duhet parë vetëm si një fenomen i tregut financiar, sepse do të dëmtojë shumë industri.” thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

“Bota e krimit në fushatë elektorale bëhet prezente kryesisht dy -tre ditët e fundit. Atëherë nisin pagesat dhe bëhen ditët e fundit. Luhatja e kursit të këmbimit bëhet ditën e zgjedhjeve dhe javën pas zgjedhjeve sepse atëherë nisin ta thyejnë ata që e kanë marrë.” thotë gazetari Artan Hoxha

“Ne kemi kërkuar vëmendje nga insitucionet sepse jemi prekur shumë si eksportues por nuk dihet deri ku do e kemi goditjen sepse në verë mund të ketë zhvlerësim edhe më të madh, atëherë i bie të falimentojmë, vetëm 4 muajt e parë humbjet e fasonëve janë 8 milion euro.” thotë Florian Zekja nga Shoqata “ProEksport”.

“Pritet që euro të vazhdojë të bjeri deri në fund të gushtit, ky është një alarm për ne.” sqaron Zak Topuzi i Shoqatës së Turistëve.

Për Bankën e Shqipërisë arsyet e rënies së euros lidhen me faktorë të ekonomisë formale. Rritja e ofertës së euros sipas bankës qëndrore ka ardhur për disa arsye: eksportet janë rritur dhe kanë sjellë flukse më të mëdha të euros, po ashtu edhe të ardhurat nga turizmi, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja direkte.

Kronos ka analizuar të dhënat faktorëve fondamentalë me të cilat banka qëndrore dhe qeveria shpjegojnë flukset e larta të monedhës europiane, por ato nuk përputhen me sasitë e mëdha të konvertuara në treg.

Monedha euro e hyrë në treg gjatë vitit 2022 përmes eksporteve, remitancave, investimeve të huaja direkte dhe shpenzimeve për turizëm, sipas të dhënave që raportohen në bilancin e pagesave tregon për prurjen e 7.11 miliard eurove. Nga eksportet me vendet e Bashkimit Europian dhe Kosova kanë ardhur 3.01 miliard euro, 2.463 miliard nga turistët e vendeve europiane duke përfshirë dhe Kosovën dhe vendet e Ballkanit, 834 milion euro nga dërgesat e emigrantëve, 698 milion euro nga investimet e huaja të vendeve të Bashkimit Europian dhe Kosovës dhe 142 milion euro nga operacionet në tregun e brendshëm nga banka qëndrore. Nga të gjitha këto para që kanë qarkulluar në tregun vendas, 807 milion euro mbeten të paqarta se nga cilat kanale kanë hyrë në treg. Kjo sasi eurosh përbën 5.2% të prodhimit kombëtar të vendit.

“Format janë nga më të ndryshmet, por pjesa më e madhe mbetet forma tradicionale duke transportuar “cash”-in me çnatë apo duke përdorur pikat e këmbimit valutor, ku ti e dorëzon shumën dhe për të njëjtën shumë përfshirë komisionin që paguan, dhe të njëjtën sasi e merr në Shqipëri.” thotë gazetari Artan Hoxha

Por ekspertët argumentojnë se jo e gjithë sasia që hyn në treg nga eksportuesit konvertohet pasi një pjesë mbahet për të bërë blerjet e lëndës së parë.

“Një pjesë edhe mbahet në formë kursimi nuk konvertohet, një pjesë shkon sërish në euro për të blerë materiale jashtë” thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

Një pjesë të euros që sjellin prodhuesit e mbajnë për të blerë lëndë të parë, nuk e konvertojnë dhe disa investime të huaja edhe pse duket sikur vijnë në euro ato vijnë në formën e materialeve të gatshme dhe kontabilizohen me faturë sikur janë në euro.” thotë Florian Zekja nga Shoqata “ProEksport”.

Rritjen e prurjeve të euros në tregun vendas ekspertët e shpjegojnë me faktorin e parave të pista.

“Mund të vijnë nga burime të paligjshmne siç janë krimi i organizuar, por dhe nga evazioni fiskal. A është kjo shifër e madhe? Është një shifër e konsiderueshme për të qënë nga burime të paditura.” thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

“Është e dukshme kudo që ka lëvizje të parave në të zezë që çdo shqiptar i thjeshtë e shikon në ajër.” thotë Zak Topuzi i Shoqatës së Turistëve.

Të dhënat e siguruara nga Kronos tregojnë se fluksi euros në pikat e këmbimit valutor ka qënë historikisht në vlerën 5.5 miliard euro në vit nga 2010-a deri në fund të 2014-s. Më pas sasia e saj është rritur me 500 milion në vit duke kapur rekordin në vitin 2018. Rritja e flukseve të euros është shoqëruar dhe me mbiçmimin e monedhës kombëtare gjatë këtyre viteve. Vlera e saj nga 140 lekë në vitin 2014 në 110 sot është zhvlerësuar me 20%, ku 9% janë vetëm nga dhjetori i vitit që lamë pas deri më sot.

“Nuk është një fenomen i përkohshëm, është një fenomen që ka vite që po zgjat.” thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

Të dhënat e disponueshme të parave të ardhura në euro edhe për 3 mujorin e parë të këtij viti nuk argumentojnë rritjen me 185 milion euro këtë vit në tregun e këmbimit valutor dhe as zhvlerësimin e saj. Krahasuar me një vit më parë eksportet janë rritur me 25 milion euro dhe nëse të ardhurat e bilancit të pagesave nga dërgesat e emigrantëve, turizmi dhe investimet e huaja direkte janë 10% më të larta se fluksi normal, nuk do të ishin më shumë se 100 milion euro, ndërsa 85 milion nuk lidhen me faktorët fondamentalë të bilancit të pagesave.

“Nëse zyrtarisht rezulton kjo sasi, kjo sasi në tregun e këmbimit real ka qënë më e madhe sepse ka dhe informalitet në deklarimin e tyre.” thotë Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare.

Shqipëria është kthyer së fundi në një nga vendet e dëshiruara për të pastruar paratë e pista, ndërsa njësia e Inteligjencës Europiane kundër pastrimit të parave të pista Moneyval e ka përfshirë vendin tonë në listën gri, duke e kosnideruar me risk të lartë të në këtë fushë. Shqipëria ndodhet në listën e 23 shteteve në botë me risk të lartë në pastrimin e parave. Në hartën e Europës në këtë listë bën pjesë vetëm Shqipëria dhe Turqia, ndërsa së fundi nga monitorimi kanë dalë Kamboxhia dhe Maroku.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top