Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, duke folur në MCN Live mbi situatën e gripit në Shqipëri tha se programi i vaksinimit të gripit është shumë mbrapa. Alimehmeti vuri në dukje se ndonëse presupozohej që brenda tetorit të mbuloheshin 75 për qind të personave vunerabël, vaksina zhdoganohet në Shqipëri në fund të tetorit.
Jemi në janar, periudha e dimrit është klasike për sëmundjet respiratore. Për dy sezone kemi pasur pak ose aspak qarkullim të virozëve dhe pritej që viti që vjen të jetë diçka më e vështirë. Ne pamë Australinë, e pamë që erdhi më rëndë. Kjo situatë erdhi edhe në Shqipëri. Duhet marrë parasysh që edhe programi i vaksinimit është shumë mbrapa. Brenda tetorit presupozohet që 75 për qind e personave vunerabël të jetë e mbuluar. Ndërkohë në Shqipëri vaksina zhdoganohet, futet në fund të tetorit. Këto viroza hyjnë te familja e gripit. Kjo ndodh veçanërisht te fëmijët, që gjatë këtyre viteve s’kanë qenë të imunizuar”.
Alimehmeti thotë se gripi godet fëmijët më fort se sa Covid-19.
S’është Covid, është grip. Fatmirësisht Covid-i s’godiste fëmijët kaq fort sa gripi. Fatmirësisht humbje jete nuk ka. Por ky kuadri klinik me temperatura 39-40, më lodhje të madhe...Duhet të marrim parasysh që trupi e rrit temperaturën që t’i bëjë ballë virusit. Po t’i shohim 380 rastet në spital, jam i bindur që ¾ s’kanë qenë për spital, por është shqetësimi i prindërve. Numri i mjekëve për banorë është i vogël në Shqipëri dhe ku do shkojnë, në spital do shkojnë. Kjo trajtohet si virozë, nuk do antibiotik. A ka raste që mund të agravohen? Patjetër që ka, por rutina është që pas 3-4 ditësh situata kthehet në normalitet. Dikur edhe Covid-i te familja e gripit do të shkojë”.
Mjeku epidemilog tha se sensibilizimi në këtë periudhë është i kotë, pasi duhej të bëhej në verë dhe vjeshtë, por nuk ka ndodhur si duhet.
Sensibilizimi tani është i kotë sepse jemi në janar. Duhet të ndodhte në verë dhe vjeshtë. Në nivele minimale ka ndodhur. Duhet të shkojmë edhe përmes medias. Informacioni duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet bërë 10 herë më shumë. Që në verë e pamë Australinë, ne e dinim se çfarë do ndodhte në dimrin tonë, kishim kohë për t’u përgatitur, por përgatitja la për të dëshiruar. Vaksinat paraqiten në dogana në fund të tetorit, kur presupozohet të ketë mbaruar fushata. 0-5 vjeçarët po e vuajnë më shumë, sepse ka tre vjet që gripi nuk kalon. Nuk kanë pasur asnjë mundësi ta takojnë gripin më parë. Ne hyjmë në një cikël panik-neglizhim. Çdo janar është kjo histori, ne duhet të jemi konkret, konstant, që kur të vijë janar-shkurti të jemi të përgatitur”.
I pyetur mbi masat që duhen marrë ndaj gripit Alimehmeti thotë:
Në momentin kur prevalenca e gripit është kaq e lartë, fshihu ku të duash ai do të gjejë. Pastaj do varet nga imuniteti i personit. Momenti i dytë pas infektimit, 3-4 deri në 5 ditët e para si virozë duhet trajtuar me këshillat e gjyshesh. Ushqime, lëngje, gjumë, paracetamol dhe ibuprofen, jo antibiotik dhe kortizonik. Kur komplikohet pastaj do mendim mjekësor. Të mos panikosemi, por në rast nevoje të mos ngurrojmë të kërkojmë këshilla mjekësore. Maska efektin e madh e ka kur vet personi është i sëmurë. Këshilla nr.1 nëse je i infektuar është mbro të tjerët, bëj 3-4 ditë pushim. Nuk bën sens të shkosh në punë apo në shkollë. Si çdo sëmundje infektive një periudhë e ka fare pa shenja. Vaksinat do kishin pasur një efekt të madh sepse do zhduknin 75 për qind deri në 90 për qind të simptomave. Gjithë shifrat nuk janë në raportet zyrtare. Raportet zyrtare janë ndalur në mars të 2020-ës kur u shfaq Covid-i. Po flasim për shifrat që janë deklaruar. 280 mijë vaksina kanë hyrë në Shqipëri deri në muajin dhjetor”.
0 Comments: