MC Networking

Qeveria po zgjat me 10 vjet koncesionin e markimit

Në foto: Sinan Idrizi dhe Nerve Korkmaz

Klodian Tomorri

Edi Rama kryeministër ka vendosur të zgjasë me 10 vjet të tjera koncesionin e markimit, të cilin Edi Rama kryetar opozite e quante si një nga aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë. Nga viti 2013, kur Rama e cilësonte korrupsion, koncesioni nuk ka ndryshuar fare. Por pronarët e tij po.

Ka ikur Ismail Mulleti dhe në vend të tij ka ardhur Sinan Idrizi me partnerët e tij turq. Me sa duket ndryshimi i njerëzve pas koncesionit ka ndryshuar dhe mendimin e Edi Ramës për të.

Koncesioni i markimit të karburanteve u dha nga qeveria e Sali Berishës në 27 shkurt të vitit 2013 tek një kompani e regjistruar në Zvicër e quajtur Global Fluids International.

Kohëzgjatja e koncesionit ishte parashikuar 10 vjet dhe afati i tij përfundonte në 27 shkurt të vitit të ardhshëm. Por pak ditë më parë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm pune për zgjatjen e koncesionit me përfaqësues të përbashkët nga ministria dhe dogana.  

Grupi do të përpilojë një raport, ku do të theksojë se sa i nevojshëm dhe i rëndësishëm është koncesioni i markimit dhe për këtë arsye do të japë rekomandimin që koncesioni duhet zgjatur edhe me 10 vjet të tjera.

Kulisat

Në shkurt të këtij viti, në ekstraktin e koncesionit të markimit shfaqet një ndryshim i papritur. Sipas ekstraktit, pronari i koncesionit nuk figuronte më Ismail Mulleti, por një shtetase turke e quajtur Nerve Korkmaz.

Zonja Korkmaz ka qenë donatore e klubit të futbollit Flamurtari, njëkohësisht dhe partnere biznese me zotin Sinan Idrizi. Ndryshimi i pronësisë së koncesionit vetëm një vit para përfundimit të tij, ngriti dyshimet se qeveria kishte premtuar zgjatjen e tij. Tashmë këto dyshime u konfirmuan.

Ngritja e grupit të punës e bën thuajse fakt të kryer zgjatjen e koncesionit të markimit me 10 vjet të tjera. Dhe vendimi i qeverisë për t’i tarifuar qytetarët me kostot e këtij koncesioni edhe për 10 vjet të tjera, vjen pikërisht në kohën kur Shqipëria qëndron në majën e botës për çmimin më të lartë të naftës.

Kostot për qytetarët

Vitin e kaluar koncesioni i markimit arkëtoi 4 milionë euro të ardhura në total. Nga këto kompania koncesionare regjistroi një fitim neto prej 1.2 milionë eurosh ose 30 për qind mbi xhiron.

Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania që ka koncesionin e markimit arkëton 1 lekë për çdo litër naftë që shitet në treg për shërbimin e ngjyrosjes. Qytetarët e paguajnë këtë kosto në ccmimin fundor të naftës.

Sipas përllogaritjeve, në 10 vitet e ardhshme, koncesioni i markimit do t’u marrë qytetarëve shqiptarë të paktën edhe 50 milionë euro të tjera, në një kohë që përfitimet e këtij koncesioni janë të dyshimta. Në Shqipëri vazhdon të hyjë masivisht naftë kontrabandë dhe ndryshe nga sa u justifikua, koncesioni i markimit dështoi të eliminonte kontrabandën apo abuzimin me cilësinë.

Në 10 vite vetëm u mori para qytetarëve dhe realizoi fitime për aksionerët tani. Tani do të marrë edhe për 10 vite të tjera. Këtë herë për disa aksionerë të tjerë. Partnerë të Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare tek Air Albania. Qytetarët vetëm paguajnë.  

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Qeveria po zgjat me 10 vjet koncesionin e markimit | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.