Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Shkodër-Lezhë në bashkëpunim me drejtuesit e Prokurorisë Shkodër ka referuar materialet proceduriale për katër punonjës policie, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, lidhur me lejimin e kultivimit të kanabisit.
Pas hetimeve me metoda speciale të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 869 të vitit 2022, u arrit që në një kohë të shkurtër të dokumentohej veprimtaria e kundraligjshme e drejtuesve të Stacionit të Policisë Velipojë.
AMP ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit për punonjësit e policisë:
- N/Komisar Zamir Sytari, 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë;
- N/Komisar Arben Hoxha, 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë;
- Inspektor Ergys Lohja, 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë;
- Inspektor Hysni Beqiri, 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkte, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së. Materialet proceduriale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
0 Comments: