Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë të zhbëjë ligjin për metrologjinë duke e cilësuar si një akt korruptiv që favorizon interesa private në dëm të interesit publik. MCN publikon raportin paraprak të auditimit që KLSH ka zhvilluar në drejtorinë e metrologjisë.
Sipas raportit, ligji që u miratua në tetor të vitit të kaluar, I jep kompanisë koncesionare NOA një monopol abuziv në kontrollin e karburanteve duke e bërë atë më të fuqishme edhe se sa vet shteti.
Së pari, KLSH konstaton se përmes këtij ligji shtetit I është hequr e drejta për të kontrolluar kompaninë koncesionare në rast se ajo abuzon më shërbimin dhe hyn në pazare me kompanitë e karburanteve. Ky nen sipas KLSH, përveçse bie në kundërshtim me një sërë ligjesh, I vesh kompanisë private fuqi më të mëdha edhe se sa vetë shteti duke krijuar hapësira të mëdha për korrupsion dhe konflikt interesi.
Së dyti, KLSH evidenton se përmes ligjit kompanisë që ka koncesionin e kontrollit të pompave I janë dhënë funksione përtej kontratës koncesionare. Një prej tyre është e drejta për të bllokuar pompat e karburantit.
Pra nëse në kontratën koncesionare, kompania private ishte autorizuar vetëm për të kontrolluar pompat e karburanteve, me ligjin për metrologjinë, qeveria I ka dhënë asaj edhe të drejtën e bllokimit, e cila ka qenë ekskluzivitet vetëm i shtetit.
Me këto dy funksione krijohen hapësira që kompania koncesionare të shantazhojë kompanitë e tregtimit të karburanteve, e madje edhe të cënojë konkurrencën në treg përmes bllokimeve selektive. Në raport KLSH evidenton edhe një sërë nenesh të tjera problematik të ligjit, I cili sipas tij qartazi cënon interesin publik për të favorizuar kompaninë koncesionare.
Ligji për metrologjinë u atakua edhe nga Presidenti I Republikës. Pas votimit të tij në Kuvend, Presidenti e ktheu ligjin për rishqyrtim duke e cilësuar atë si një akt korruptiv dhe në kundërshtim me një sërë ligjesh të vendit. Por maxhoranca nuk u tërhoq, përkundrazi disa deputetë të saj, të kryesuar nga Ilir Beqja, shtuan amendime të tjera, të cilat I dhanë më shumë favore kompanisë koncesionare NOA.
0 Comments: