Nga Anduena Llabani
Qindra-mijëra të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë të cilat rruhen nga institucionet shtetërore u vunë në dispozicion të Partisë Socialiste në pushtet, me rastin e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Skandali u padit në SPAK nga opozita, por mësohet se kjo strukturë e drejtësisë vëren se listat e 'patronazhistëve' të PS, që nxitën debate para 25 prillit për të dhënat personale të banorëve të Tiranës, nuk ka elementë të veprës penale për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Burime për MCN, bëjnë me dije se nga hetimi nuk faktohet korrupsioni aktiv në zgjedhje.
Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, konstatohet se përgjatë gjithë kohës së kryerjes së këtij hetimi, nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhëne, prove apo indicie, që të jetë konsumuar vepra penale korrupsionit aktiv në zgjedhje. Nuk rezulton që ndonjë veprim korruptiv konkret në fushën zgjedhore, të ketë lindur apo të ketë marrë jetë, si pasojë e të dhënave që janë pasqyruar në bazën e sipërcituar, të publikuar.
Sipas SPAK nga tërësia e ankesave që kanë mbërritur në kuadrin e këtij procedimi penal, shqetësimi që ka karakterizuar këtë fenomen, ka të bëjë me përhapjen e të dhënave personale.
Ajo që deri më tani mbështet në provat e administruara, ka të bëjë me faktin se ekziston dyshimi, se punonjës të cilët kanë mundësi aksesi në bazën e të dhënave shtetërore, mund të kenë keqpërdorur atributet që u janë ofruar nga kuadri ligjor rregullues, duke vepruar në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit. Për këtë arsye vlerësohet se duhet të procedohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale, nga ajo për të cilën ky procedim penal u regjistrua e konkretisht nga neni 328 i K.Penal në atë të parashikuar nga neni 192/b i K.Penal "Hyrja e paautorizuar kompjuterike".
0 Comments: