MC Networking

“Vit i artë” për inceneratorin e Tiranës (VIDEO)

Viti i kaluar ishte dramatik për shumicën dërrmuese të bizneseve dhe familjeve shqiptare. Kriza ekonomike e diktuar nga pandemia çoi në mbylljen e shumë ndërmarrjeve, veçanërisht atyre të vogla, ndërsa mijëra qytetarë humbën punën dhe të ardhurat e tyre të mbijetesës. Por jo të gjithë patën të njëjtin fat. Për koncesionet e qeverisë, 2020-a ka qenë një vit i artë.  

Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar fitimi i inceneratorit të Tiranës u rrit me 320 për qind krahasuar me 2019-n duke arritur në gati 6 milionë euro. Sipas bilancit, kompania arkëtoi rreth 18.6 milionë euro të ardhura në total, duke regjistruar rrjedhinisht një normë fitimi më të lartë se 30 për qind mbi xhiron.

Klienti më i madh i inceneratorit të Tiranës është Bashkia e Tiranës. Në bazë të kontratës koncesionare të lidhur në vitin 2017, Integrated Energy BV mori për 30 vjet monopolin e trajtimit të mbetjeve në kryeqytet. Sipas marrëveshjes, të gjitha mbetjet e Tiranës depozitohen në landfillin e Sharrës dhe për çdo ton mbetje të depozituar, Bashkia i paguan kompanisë një tarifë prej 29 eurosh.

Në plan biznesin mbi të cilin u dha koncesioni parashikohej se në landfill do të depozitoheshin rreth 700 tonë mbetje në ditë. Por në fakt, kjo sasi ka rezultuar dukshëm më e lartë, duke bërë që pagesat e bashkisë për koncesionarin të rriten me ritme të forta vit pas viti..

Veç rritjes së pagesave direkte nga Bashkia e Tiranës, kompania ka përfituar më shumë të ardhura edhe kompanitë e ndërtimit. Këto të fundit u detyruan me ligj po nga bashkia që të depozitojnë të gjithë dherat dhe inertet në landfillin e sharrës duke i paguar inceneratorit 450 lekë për çdo ton të depozituar.

Por e ardhmja duket edhe më e ndritur për koncesionin e artë të inceneratorit të Tiranës. Një ditë më parë, qeveria miratoi një vendim që i hap rrugë depozitimit edhe të mbetjeve të Durrësit në landfillin e Sharrës. Paratë do të paguhen nga Bashkia e Durrësit, por edhe buxheti i shtetit. Kjo lëvizje gati dyfishon fitimet e monopolit 30 vjeçar në qindra milionë euro, ndërsa qytetarëve u mbetet të paguajnë. Nga tarifa e pastrimit që i paguajnë bashkisë por edhe nga taksat e tyre në buxhet.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top