Nga Klodian Tomorri
Diku nga viti 2015, Banka Botërore dhe Bledi Cuçi, në atë kohë ministër i Shtetit për Çështjet Lokale dhe Antikorrupsionin shpikën një metodë të re për të luftuar korrupsionin. Përmes një platforme, qytetarëve u dërgoheshin SMS duke i inkurajuar të denonconin rastet e korrupsionit. Madje për të promovuar nismën, Banka Botërore dhe qeveria nxorrën edhe qytetarë para kamerave, të cilët tregonin se kishin shpëtuar nga kthetrat e korrupsionit falë SMS-ve të qeverisë.
Operacioni i mesazheve të Cuçit pati sukses të madh. Por pacienti vdiq. Në MCN, ne publikuam një ditë më parë të dhënat jo publike të BB dhe BERZH, që kuantifikojnë industrinë e rryshfetit nga krahu i bizneseve. Sipas vrojtimit, i cili për këtë fushë është më prestigjozi në botë, rezulton se me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë, pesha e rryshfetit që paguan biznesi rritur me 3.1 herë, nga 0.98 për qind e xhiros në 2013-ën, në 3.1 për qind të faturimeve në vitin 2019. Dhe ky nuk është thjesht një numër, por një industri gjigande.
Në vitin 2019, bizneset në Shqipëri faturuan, sipas INSTAT, gjithsej rreth 18.3 miliardë euro në formën e shitjeve neto. Nga këto, 3.1 për qind ose plot 550 milionë euro u paguan si rryshfet. Kjo e bën biznesin e rryshfetit, një nga tregjet më të mëdha të ekonomisë shqiptare. Pra nëse SHBA-të prodhojnë kompjutera dhe teknologji, nëse gjermanët prodhojnë automobila, ekonomia shqiptare prodhon rryshfet.
Pyetja që vjen natyrshëm është kush i paguan këto para? Pra kujt i vidhen? Përgjigja është e thjeshtë. Viktimat e vërteta të rryshfeteve që japin bizneset për zyrtarët nuk janë bizneset, por qytetarët. Bizneset japin rryshfete për të marrë tendera, për të fituar koncesione, për të marrë leje ndërtimi apo për të shmangur detyrimet ligjore. Në të gjitha rastet ata që paguajnë janë qytetarët.
Kur një kompani jep rryshfet për të fituar një tender ajo që ndodh është se çmimi i tenderit rritet shumë më tepër nga kostoja e tij reale. Këtë diferencë e paguajnë qytetarët përmes buxhetit. Sot pjesë më e madhe e tenderave në Shqipëri ose janë me një ofertues ose fitohen nga kompanitë që ofrojnë çmimin më të lartë, ndonjëherë edhe me diferenca që shkojnë deri në 5 milionë euro për kontratë.
Kur një biznes jep rryshfet për të marrë një koncesion monopol, atë që paguajnë janë sërish qytetarët përmes tarifave të fryra përtej çdo llogjike apo shërbimit mizerabël të koncesionarit monopol. Jo më kot, kostot e rrugëve koncesionare arritën deri në 20 milionë euro për kilometër.
Kur një biznes jep rryshfet për të marrë një leje ndërtimi, koston qytetarët e paguajnë tek tek çmimet e rritura tek apartamentet apo shkatërrimi urbanistik i qytetit. Kjo është arsyeja se pse Tirana sot është e shtrenjtë, por edhe e pabanueshme njëkohësisht.
Pra, praktikisht biznesi është thjesht agjenti fiskal, që mbledh paratë e rryshfetit nga qytetarët për llogari të pushtetarit të korruptuar. Madje gjithçka funksionon mirëfilltazi si në bursë. Shpesh bizneset që merren me tendera në Shqipëri i kuotojnë institucionet publike sipas përqindjes së rryshfetit që kërkojnë për tendera. Fjala vjen institucioni X kërkon 20 për qind, agjencia Y e ka 25 për qind, ndërsa në disa ndërmarrje publike bursa arrin deri në 30 për qind e vlerës së kontratës. Dhe qytetarëve përmes këtij sistemi u vidhen çdo vit 550 milionë euro.
Pyetja tjetër që vjen natyrshëm është se pse qytetarët nuk reagojnë dhe si ka mundësi që një qeveri me këtë magnitudë korrupsioni të rifitojë pushtetin? Ndoshta për shkak se natyra e korrupsionit ka ndryshuar. Shqipëria sot ka më pak nga i ashtuquajturi korrupsion irritues. Pra korrupsioni i 2 mijë lekëshit të policit në rrugë apo mësuesit në shkollë, me të cilin qytetari përballet direkt dhe paguan nga xhepi. Por Shqipëria ka tashmë ka një sistem kapilar korrupsioni, i cili në një farë mënyrë funksionon si taksimi indirekt, ku qytetarëve u merren lekët jo drejtëpërdrejtë, por përmes agjentit fiskal. Ky sistem është shumë i vështirë për t’u çmontuar.
Një administratë, e cila mbledh 550 milionë euro në vit vetëm nga rryshfetet e biznesit, mund të korruptojë gjithçka që i del përpara. Mund të korruptojë media, mund të korruptojë prokurorë dhe në fund fare mund të korruptojë edhe votuesit me paratë e këtyre të fundit. Ky është një regjim, i cili ka vetinë të infektojë çdo gjë. Por viktima e tij më e madhe është e ardhmja.
0 Comments: